Të martën (20:00) në Arenën “Todor Proeski” luhet ndeshja e parë mes Shkëndijës dhe FCSB-së në kuadër të raundit të dytë kualifikues për Ligën e Kampionëve. Ndeshja e kthimit zhvillohet më 30 korrik në Bukuresht.

Favoriti është i qartë. FCSB, një ish-kampione e Europës, e pamposhtur ndaj klubeve nga Maqedonia, mban statusin e skuadrës më të fortë. Por futbolli i ka rregullat e veta dhe Shkëndija në të kaluarën ka ditur të befasojë kundërshtarë me emër. Paraqitja bindëse ndaj TNS-it është dëshmi e kësaj.
Nëse kjo do të mjaftojë për ta kaluar pengesën rumune, mbetet të shihet. Por një epërsi tashmë është krijuar dhe ajo vjen jashtë fushës.
Shkëndija ka kaluar në epërsi 1:0 ndaj FCSB-së kur krahasojmë pasurinë e pronarëve të klubeve. Sipas të dhënave që qarkullojnë në internet (pa konfirmim zyrtar), pronari i Shkëndijës dhe kompanisë “Ecolog”, Lazim Destani, zotëron një pasuri që sillet rreth 5 miliardë euro.
Në anën tjetër, mediat rumune raportojnë se pasuria e Gigi Becali, pronarit të FCSB-së, është rreth 1.2 miliardë euro. Kështu që, përpara se të ndodhë çfarëdo në fushë, Shkëndija tashmë ka një avantazh simbolik.
Por të kthehemi te futbolli. Buxheti i FCSB-së është dukshëm më i madh, si edhe vlera e skuadrës. Ata janë favoritë me të drejtë.
Lazim Destani, megjithatë, nuk përzihet në vendimet e brendshme të ekipit. Ai ndjek ndeshje të rëndësishme në Tetovë ose Europë, por nuk ndërhyn në përzgjedhjen e skuadrës.
Ndryshe nga ai, Gigi Becali është shumë më aktiv, shpesh, sipas mediave rumune, ndërhyn në formacion dhe vendimet taktike, dhe pëlqen të ketë fjalën e fundit në gjithçka që lidhet me klubin e tij.

