Numri i lartë i ndeshjeve në një sezon po bëhet gjithnjë e më shqetësues për futbollistët, teksa ata vetë, por edhe trajnerët, nuk i kanë kursyer asnjëherë ankesat për oraret e ngarkuara.

Pikërisht për këtë arsye, kreu i Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina ka hedhur idenë e një ndryshimi në Serinë A, që ka të bëjë me reduktimin e skuadrave pjesëmarrëse nga 20 në 18. Dy skuadra më pak, që do të përktheheshin në dy javë më pak në kalendarin sezonal të Serisë A, teksa propozimi mbështetet nga klubet e mëdha, por has në kundërshtim nga ato të nivelit mesatar dhe të ulët.
Në muajin mars është parashikuar të mblidhet edhe Asambleja e Jashtëzakonshme e Serisë A, ku pritet të ketë edhe një debat të fortë pikërisht për numrin e skuadrave pjesëmarrëse në Serinë A. Rruga e parë është arritja e marrëveshjes për një kampionat me 18 skuadra, por kjo reformë kërkon konsensus të të gjithë ekipeve pjesëmarrëse.

