Reagon Gajur Sadiku për “krisjet” Shkupi-Shkëndija: “Stop urrejtjes ndërmjet veti”

Përballja e xhiros së 17-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut, ndërmjet Shkupit dhe Shkëndijës e mbyllur me barazim 1:1 vazhdon të jetë temë diskutimi edhe më tej në opinion, posaçërisht dhe fatkeqësisht për indcidente e sulme mes dy taboreve, e jo për cilësinë e padiskutueshme të shfaqur në performansën e shkëlqyeshme të dy skuadrave. Tifozeria e Shkupit në momente tejkaloi nivelin e lejuar të rivalitetit dhe Shkëndija mes tjerash akuzon publikisht vendasit për sulmet me shishe plastike e gjësende të forta në drejtim të lojtarëve kuqezi, gjë që ishte evidente, ndërsa nga tabori i Shkupit duke u distancuar nga sjelljet e pahijshme drejtojnë gishtin kah tetovarët për akuza të pabaza në aspekt të organizimit nga ana e vendasit. Për gjithë ndarjet dhe polemikat e shfaqura në opinion, me reagim është paraqitur legjenda e futbollit tetovar e që jeton dhe vepron në Suedi, Gajur Sadiku. 

Duke ndjekur me kujdes atë çka ndodh ndërmjet dy ekipeve shqiptare, kam një apel të halur drejt tifozët e Shkëndijës, “Ballistët” dhe ato të Shkupit, “Shfercerat”. Kam ndjekur ndeshjen dhe me keqardhje edhe ngjarjet e këtij dueli derbi. Apeloj publikisht të ruhet gjakftohtësia ndërmjet “Ballistëve” dhe “Shfercerave”. Rivalitet por, urrejtje asesi jo mes veti. Në futboll fiton më i miri. Jemi të njohur historikisht në botë si mikpritës dhe nuk ka askush të drejtë ta prish këtë imazh të shqiptarëve. Jo më mes veti të grindemi e të bëhemi armiq, këtë s’duhet lejuar për asnjë çmim dhe qëllim. Të mirëpresim njëri tjetrin si në Tetovë, ashtu edhe në Shkup pa urrejtje dhe fyerje. Forca “Ballistët”, forca “Shfercerat””, thotë në letrën e tij Gajur Sadiku, ish-futbollist i Shkëndijës dhe Vardarit në Maqedoni, si dhe lojtar i suksesshëm, tashmë edhe trajner në Suedi. 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close