Kristiano Ronaldo iu përgjigj me shaka ish-bashkëlojtarit të tij të vjetër tek Juventusi, Vojsieh Shçezni-t, i cili së fundmi iu bashkua Barcelonës përkundër se kishte njoftuar vendimin për t’u pensionuar në verë.

Dyshja u takuan në ‘National Stadium’ të Varshavës aty ku Portugalia regjistroi një fitore me rezultat 3-1 ndaj Polonisë. Ronaldo pas takimit u ndal për të bërë disa fotografi me fëmijët e Shçeznit në të njëjtën kohë duke e pyetur nëse ishte i lumtur për transferimin e tij tek Barcelona.
Ronaldo më pas bëri një shaka me ish-bashkëlojtarin e tij duke i thënë se iu desh që të pensionohej për të fituar transferimin tek një ‘klub i madh’. Shçezni njoftoi vendimin e tij për t’u tërhequr nga futbolli gjatë muajit gusht, duke shkëputur kontratën e tij tek Juventusi me marrëveshje të dyanshme. Përkundër faktit që veshi fanellën e ‘Bianconerëve’ për tetë vite, pozita e tij si titullar ishte rrezikuar nga transferimi i Mikele Di Gregorios nga Monza.
Ai më pas u rikthye nga pensionimi për të nënshkruar me Barçën deri në fund të sezonit për të mbuluar mungesën e kapitenit Mark Andre Ter Stegen i cili kishte këputur ligamentin ndaj Viljarrealit.

