Ka mjaftuar një postim në një fan page shqiptare për t’u përhapur me shpejtësi lajmi që rezultoi të ishte gënjeshtër. Postimi pretendonte se menaxherët e suksesshëm shqiptarë Shkumbin Qormemeti e Haris Fakiq janë duke shqyrtuar mundësinë e hyrjes në KF Renova, skudër kjo që përballet me probleme të mëdha dhe përkundër mungesës së një komunikate zyrtare, 99% do të tërhiqen nga garimi në elitën e futbollit të Maqedonisë së Veriut.

“Gënjeshtër. Nuk ka as 1% të vërtetë ky lajm. Habitemi se si mund të shkruhet diçka e tillë, pasi nuk kemi asnjë lidhje me klubin dhe temën në fjalë. E demantojmë kategorikisht këtë lajm dhe kërkojmë respekt kur përmenden gjëra të këtilla. Të paktën të kërkohet edhe prononcimi ynë, sepse kështu del keqpërdorim me emrat tonë”, shprehet për Sportmania Hari Fakiq, i cili për momentin bashkë me Shkumbin Qormemetin qëndrojnë në Zagreb të Kroacisë dhe që të dy nuk fshehin habinë se si në fakt pa asnjë lidhje emrat e tyre përfunduan në portalet sportive në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni.
Në fakt javët e fundit drejtuesit e Renovës dhe investitorë potencialë nga Austria ishin në bisedime për menaxhimin e klubit, mirëpo në fund mungoi akordi. Fakti që të interesuarit ishin në lidhje me agjencion menaxherësh nga Austria dhe fakti se Qormemeti jeton e vepron në Vienë, duket të ketë “ngatëruar” palën që prodhoi lajmin, e që shpejt u demantua edhe nga vetë Fakiq e Qormemeti.
Fatkeqësisht lajmi në fjalë u postua edhe në portalin tonë dhe me këtë rast kërkojmë falje deri te Qormemeti e Fakiq, si dhe deri te lexuesit që pa ndonjë qëllim të keq u servirëm një lajm që rezultoi gënjeshtër.

