Lojtarët e Kombëtares së Shqipërisë që ishin kualifikuar në “Euro 2016” kishin bërë bujë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë.

Me të arritur suksesin në fjalë, Kryeministri Edi Rama, në një ceremoni të madhe u dhuroi pasaporta diplomatike për të gjithë lojtarët që siguruan kualifikimin në Kampionatin Evropian 2016.
Atëbotë ishin edhe shumë kosovarë, si Lorik Cana, Etrit Berisha, Mërgim Mavraj, Ermir Lenjani etj.
Por me një vendim të ri, Qeveria ka revokuar vendimin e marrë më herët, që do të thotë se lojtarët në listë nuk kanë më pasaporta diplomatike.
Së fundmi, përmes një shkrese zyrtare drejtuar sekretarit të përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Futbollit, Ilir Shulku, kërkesës së këtij të fundit për t’u ripajisur me pasaportë diplomatike i është kthyer përgjigje negative.
Sipas vendimit të Ministrisë, pasaportat diplomatike të lojtarëve do të kenë vlerë vetëm deri më 30 qershor dhe nuk do të pranohet të ripërtrihen afati i tyre nga Qeveria.



