
Mëngjesin e sotëm, një lajm tragjik ka tronditur Maqedoninë. Në një zjarr që përfshiu një klub nate në Koçan, dhjetëra persona kanë humbur jetën, ndërsa shumë të tjerë, kryesisht të rinj, po luftojnë për jetën e tyre. Për shkak të kësaj tragjedie të madhe, të gjitha ngjarjet sportive të planifikuara për sot janë anuluar.
E para që reagoi me një njoftim zyrtar ishte Federata e Futbollit e Maqedonisë, e cila bëri të ditur se nuk ka vend për futboll në këtë moment. Më pas erdhi edhe njoftimi nga Federata e Hendbollit e Maqedonisë, e cila gjithashtu anuloi të gjitha ndeshjet e ditës së sotme.
“Federata e Hendbollit të Maqedonisë, pas tragjedisë së madhe në Koçan, anulon të gjitha ndeshjet e planifikuara për sot në të gjitha kategoritë. Në këto momente të vështira, mendimet dhe lutjet tona janë me familjet e viktimave dhe të prekurve nga kjo tragjedi. Shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta! Me respekt, Federata e Hendbollit e Maqedonisë.”
Pritet që edhe federatat e tjera sportive të anulojnë aktivitetet e tyre, pasi në këtë moment askush nuk ka mendjen te sporti.