Nëse kampionatet nuk mund të luhen, UEFA ka këtë ide për klubet

Në takimin e së martës, UEFA do të duhet të përcaktojë tre rezoluta themelore: shtyrjen e Kampionatit Evropian deri në vitin 2021; zgjedhjen e formatit për përmbylljen e garave evropiane dhe zgjedhjen e një kriteri të unifikuar për të vendosur për fituesit e ligës, ekipet e promovuara dhe të larguara, dhe vendet kualifikuese evropiane për të siguruar “drejtësi dhe meritë të barabartë” kur bëhet fjalë për përcaktimin se kush do të garojë në sezonin e ardhshëm në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës.

Lidhur me përcaktimin e fituesve të ligës, presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin, ka konfirmuar tashmë se ai është në favor të zgjedhjes së ekipit që është udhëheqës i secilit kampionat në kohën kur çdo ligë u pezullua përkatësisht, transmeton lajmi.net.

Sidoqoftë, shumë besojnë se një masë e tillë nuk do të jetë e nevojshme për shkak të shtyrjes së mundshme të Euro 2020, e cila do të lironte datat për të përfunduar ndeshjet e ligës në verë. Por kjo sigurisht do të varet nga fakti nëse kriza e koronavirusit është lehtësuar sa duhet deri atëherë për të rifilluar ndeshjet.

Nëse jo, UEFA do të përcaktojë ekipet kualifikuese për edicionet e rradhës të Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës duke marrë parasysh renditjen e ligës në momentin që ligat përkatësisht ishin pezulluar.

Organi drejtues evropian nuk do të përfshihej në përcaktimin e kritereve për klubet e larguara dhe të promovuara, duke lejuar ligat përkatëse të zgjedhin format e tyre. Sidoqoftë, do të këshillonte përdorimin e të njëjtave kritere për përcaktimin e kampionit të ligës. /Lajmi.net/ 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close