NBA: Curry i pandalshëm, James lider i LA Lakers

Pasi e nisën sezonin e ri me pesë humbje radhazi, Washington Wizards gjetën fitoren e dytë radhazi, këtë herë me vetëm një pikë diferencë 122-123 në një sfidë spektakolare të zhvilluar në Barclays Center të New Yorkut, ndaj Brooklyn Nets.

Të katër setet e kësaj sfide ishin mjaft të ekuilibruara, me Wizards që fituan të parin me një pikë diferencë dhe të tretin me dy pikë diferencë, ndërsa Brooklyn fitoi vetëm setin e dytë me dy pikë diferencë dhe pjesa e fundit përfundoi në barazim.

Kyrie Irving dhe Kevin Durant zhvilluan një ndeshje mjaft të mirë për Brooklyn Nets, duke regjistruar 58 pikë, 16 rikuperime dhe 17 asistime të dy së bashku, ndërsa për Washington Wizards shkëlqeu Bradley Beal me 27 pikë, 10 rikuperime dhe pesë asistime.

Kampionët në fuqi të NBA, Los Angeles Lakers morën fitoren e tretë radhazi dhe njëkohësisht të pestën sezonale, pasi ia dolën të triumfojnë pa shumë mundim në udhëtim ndaj Memphis Grizzlies me rezultatin 94-108. Në FedExForum të Memphis, vendasit e nisën shumë vrullshëm ndeshjen dhe në fund të fraksionit të parë kryesonin me 11 pikë diferencë, por më pas Lakers morën gjithçka nën kontroll dhe fituan pjesën e dytë e të katërt me rezultat të thellë, duke siguruar edhe triumfin në të gjithë takimin.

LeBron James ishte në një formë të jashtëzakonshme mbrëmjen e djeshme, teksa shënoi 22 pikë, rikuperoi 13 topa në tabelë dhe dha tetë asistime – transmeton SuperSport.

Ylli 32-vjeçar i basketbollit amerikan, Stephen Curry ishte magjik mbrëmjen e djeshme në Chase Center të San Franciscos, pasi shënoi plot 62 pikë, rikuperoi pesë topa dhe dha katër asistime, duke vulosur i vetëm fitoren 137-122 të Golden State Warriors ndaj Portland Trail Blazers.

Warriors morën kështu fitoren e tretë sezonale, në një ndeshte të dominuar nga fillimi në fund, ndërsa Lillard dhe McCollum të Trail Blazers u eklipsuan nga shkëlqimi i Curry, duke mos arritur të bëjnë asgjë në parket.

Në sfidat e tjera Los Angeles Clippers triumfoi me shifrat 107-12 si mysafirë ndaj Phoenix Suns, Denver Nuggets mposhti Minnesota Timberwolves me rezultatin 124-109, ndërsa Chicago Bulls fitoi me rezultatin 118-108 ndaj Dallas Mavericks.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Close