Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut nesër luan ndaj Gjibraltarit në arenën “Todor Proeski” në Shkup, në kuadër të xhiros së 4 në Ligën e Kombeve. Seleksionuesi Bllagoja Milevski ka folur para gazetarëve për ndeshjen e nesërme, ndërsa mes tjerash ka potencuar se sulmuesi shqiptar, Valon Ethemi do të debutojë nesër me përfaqësuesen.

“Aleksandar Trajkovski nuk do të jetë në kombinim për shkak të lëndimit, Elmas është në pikëpyetje, kemi disa lojtarë të cilët janë gjithashtu në dilemë për të luajtur. Shumë nga lojtarët janë të lodhur për shkak të orarit. Duhet të presim të gjithë së bashku për të parë se kush do të jetë gati për lojë. Të gjithë lojtarët janë në garë për një paraqitje edhe Valon Ethemi gjithashtu mund të debutojë në këtë duel dhe do ti ketë minutat e tij. Është detyrimi ynë që të jemi në nivel dhe të japim maksimumin. Të gjithë duhet të vihen në funksion të ekipit dhe të jenë në nivelin e parashikuar nga kodi ynë. Ne kemi respekt për çdo kundërshtar, kjo vlen edhe për ndeshjen e nesërme. Ne kemi qenë dominues në ndeshjet e mëparshme, por duhet të jemi shumë më specifik në fazën finale”, ka thënë Milevski.


