Me kujdes drejt hapave të parë të futbollit, Adi Abdullai, një histori pune dhe përkushtimi nga Hamburgu 

Në futbollin e moshave të reja, entuziazmi duhet shoqëruar gjithmonë me maturi. Pikërisht në këtë frymë vlen të përmendet rrugëtimi i Adi Abdullait (datëlindja 20.01.2013), një fëmijë me prejardhje nga Çellopeku i Tetovës, i cili po rritet në Hamburg të Gjermanisë.

Adi i ka hedhur hapat e parë në futboll që në moshë shumë të vogël, te SC Oberaula (Hessen), për të vazhduar më pas te Concordia Hamburg, Rahlstedter SC, SC Paloma, ndërsa aktualisht është pjesë e Meinendorfer SV Hamburg. Në fushë aktivizohet si mesfushor dhe dallohet për qetësinë me topin, energjinë dhe dëshirën për të qenë gjithmonë pjesë e lojës.

Një rol të veçantë në motivimin e tij ka familja, në veçanti babai, i cili për Adin përfaqëson shtysën kryesore për të vazhduar çdo ditë me përkushtim. Sa i përket frymëzimit sportiv, ai shikon te lojtarët që ndërthurin inteligjencën dhe teknikën: nga skena ndërkombëtare admiroi stilin e Thiago Alcântara-s, tashmë i pensionuar nga futbolli aktiv, ndërsa në futbollin shqiptar i pëlqen rrugëtimi dhe profili i Fisnik Asllanit, lojtar i Hoffenheimit dhe përfaqësueses së Kosovës. 

Dua të luaj gjithmonë me topin dhe të ndihmoj ekipin tim,” është një nga fjalitë e thjeshta që përmbledh mënyrën si e sheh futbollin një fëmijë që ende po mëson, por që tashmë tregon dashuri të sinqertë për lojën.

Pa nxituar me etiketime dhe pa krijuar pritshmëri të panevojshme që në këtë moshë edhe mund të bëjnë dëm, rasti i Adit është një shembull se si puna e vazhdueshme, mbështetja familjare dhe ambienti i duhur mund të krijojnë baza të shëndosha për të ardhmen. Futbolli mbetet rrugë e gjatë, dhe hapat e parë duhen vlerësuar me qetësi. Adi tashmë i ka hedhur, tani pritet vazhdimësia për ta parë ndërtimin e një futbollisti profesionist. 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close