Kontrata me Interin skadon në verën e 2027-ës dhe Giuseppe Marotta duket i vendosur të mos punojë më për asnjë klub tjetër në nivel profesionist.

Drejtuesi i njohur, që mban rolin e Administratorit të deleguar në klubin zikaltër që prej verës së 2018-ës, deklaroi se në të ardhmen e sheh veten duke punuar në sektorin e të rinjve, teksa nuk ngurroi të shpalosë edhe idetë e tij.
“Interi do të jetë klubi im i fundit në futbollin profesionist. Pas përfundimit të kontratës do të punoj me sektorin e të rinjve, që mendoj se janë nëj pasuri dhe trashëgimi e vërtetë. Kam idetë e mia për këtë sektor dhe mendoj t’i aplikoj pasi të përfundoj angazhimin te Interi. Unë kam këmbëngulur gjithmonë që të rinjtë të trajnohen pa pagesë, pasi kështu mund të binden edhe prindërit që nuk kanë para mjaftueshëm. Historia na ka treguar se pikërisht nga familjet e varfra kanë dalë kampionët më të mëdhenj të këtij sporti”, u shpreh drejtuesi zikaltër.
Giuseppe Marottës i përfundon kontrata me Interin në 2027-ën, kur të ketë 70 vite mbi supe ndaj edhe nuk joshet nga një tjetër eksperiencë. Marotta është padyshim një nga drejtuesit më të suksesshëm në Itali, ku ka fituar shumë kryesisht me Juventusin, por edhe tani te zikaltrit…

