Gazetari i njohur i sportit dhe redaktor në “Gazetën Blic” të Kosovës, Lorik Jashanica ka dhënë një intervistë për medium gjigand të Spanjës, “MARCA” një ditë para ndeshjes historike të Kosovës ndaj Turqisë që është e vlefshme për Kampionatin Botëror.

Lorik Jashanica ka përshkruar shtetin dhe përfaqësuesen e Kosovës, popullin shqiptar dhe mentalitetin. Ai gjithashtu ka folur edhe për kapitenin e Kosovës, Vedat Muriqi, që aktualisht është pjesë e Mallorcës në La Liga.
INTERVISTA E PLOTË E LORIK JASHANICËS PËR MARCA (e përkthyer në gjuhën shqipe)
Kombëtarja e Kosovës nuk ka as 10 vite histori. Ajo do ta festojë zyrtarisht dekadën e parë të ekzistencës në muajin maj të ardhshëm. Pavarësinë e shpalli në vitin 2008, dhe ende sot ka vende si Spanja që nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur. Megjithatë, në këtë histori të shkurtër, por shumë intensive, fshihet një rrëfim futbolli që ka bërë të ëndërrojnë rreth 2.5 milionë kosovarë të shpërndarë në të gjithë botën. Sot, ata janë vetëm një fitore larg pjesëmarrjes në një Kupë Bote, diçka që deri pak muaj më parë dukej e paimagjinueshme.
“Nëse do të thosha se e prisja të ishim në këtë situatë, do të gënjeja. Askush në Kosovë nuk e priste këtë, sidomos pas një shorti shumë të vështirë me Suedinë, Slloveninë dhe Zvicrën në grup. Megjithatë, trajneri ynë, Franco Foda, ia doli, dhe disi, në mënyrë thuajse mrekullie, jemi vetëm 90 minuta larg ëndrrës sonë më të madhe”, shprehet gazetari kosovar Lorik Jashanica, duke reflektuar entuziazmin dhe shpresën që ka përfshirë vendin. Ai e di mirë se kombëtarja është vetëm një hap larg për të bërë histori, madje edhe më shumë.
“Kemi zhvilluar ndeshje të shkëlqyera, duke fituar në transfertë kundër Suedisë, Sllovenisë dhe Sllovakisë, gjë që për ne ishte vërtet mbresëlënëse. Tani nuk kemi asgjë për të humbur; duam fitoren dhe duam ta realizojmë ëndrrën tonë”, tregon Jashanica.
“Jemi një shtet shumë i ri. Kemi kaluar shumë vuajtje; as 30 vite nuk kanë kaluar që nga lufta dhe agresioni serb në Kosovë. Gjithmonë kemi luftuar për liri, ndërsa tani luftojmë për t’i treguar botës vlerat tona, cilësinë tonë dhe për të shkruar një histori suksesi. Nuk kemi as 10 vite në UEFA dhe FIFA, dhe tashmë jemi pranë Kupës së Botës, sepse këtu njerëzit zgjohen dhe jetojnë çdo sekondë me futbollin. Këtu, futbolli dhe kombëtarja janë gjithçka. Nëse arrijmë në Kupën e Botës, festa do të jetë po aq e madhe sa kur fituam pavarësinë”, shton gazetari.
Muriqi, ura lidhëse mes Kosovës dhe Mallorcës
Sezoni i Vedat Muriqit te Mallorca ka tërhequr vëmendje të madhe. Sulmuesi kosovar, autor i 18 golave në La Liga, është gjithashtu golashënuesi më i mirë në historinë e Kosovës, me 32 gola.
“Muriqi është pa dyshim lojtari ynë kyç, lideri ynë, dhe tani edhe kapiteni. Ai është një lojtar shumë i fortë dhe e njeh shumë mirë Turqinë, lojtarët dhe mentalitetin e tyre. Personalisht, pres shumë prej tij në këtë ndeshje. Dua që ai ta udhëheqë ekipin dhe të na çojë në Kupën e Botës”.
Muriqi e njeh në mënyrë të përkryer futbollin turk, pasi ka luajtur në disa skuadra atje: Giresunspor, Gençlerbirliği Ankara, Rizespor dhe Fenerbahçe. Mbi 70 golat e tij në futbollin turk i japin një përvojë dhe njohuri të jashtëzakonshme për ndeshjen e së martës, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Në një intervistë të fundit për FIFA-n, sulmuesi la të hapur mundësinë që të tërhiqet nga futbolli nëse luan me Kosovën në Kupën e Botës. Për këtë, Lorik Jashanica shprehet: “Nëse arrin të na kualifikojë për Kupën e Botës, ai do të realizojë ëndrrën e miliona kosovarëve. Le ta arrijë këtë, le të luajë në Botëror dhe të tërhiqet si hero. Nëse ia del, do të mbetet përgjithmonë në kujtesën dhe zemrat e të gjithë kosovarëve.”

