
Gjërat po duken mirë për Liverpullin gjatë javëve të para të sezonit të ri, me Arne Slot që vazhdoi startin e tij premtues si trajner me një fitore 3-1 ndaj Milanit në Ligën e Kampionëve. Ai tashmë ka fituar katër nga pesë ndeshjet e tij zyrtarë në krye të Liverpullit, ndërsa dështimi i vetëm mbetet humbja befasuese ndaj Nottingham Forest me rezultat 1-0 në ‘Anfield’.
Liverpulli ka kryer vetëm një transferim gjatë verës me Federiko Kiesa-n, i cili iu bashkua ‘Të Kuqve’ për 10 milionë euro nga Juventusi. Sidoqoftë, drejtuesit e klubit tashmë janë duke punuar për të bërë përforcime të reja në janar dhe gjatë verës së ardhshme. Sipas një raporti të ri, Liverpulli po punon për një ofertë sensacionale në drejtim të Bajern Munihut për Xhamal Musialan.
21-vjeçari ka më pak se dy vite të mbetura në kontratën e tij në ‘Allianz Arena’ dhe Bajerni mund ta shesë atë verën e ardhshme, nëse nuk arrijnë marrëveshje për rinovimin e kontratës.
“Football Insider” ka bërë me dije se Liverpulli do të synojë të bëjë një ofertë formale për reprezentuesin gjerman, i cili vlerësohet rreth 110 milionë euro nga “Transfermarkt”.

