Lautaro kërkon pagë të lartë, orë vendimtare për rinovimin me Interin

Orë vendimtare për rinovimin e Lautaro Martinez. Sulmuesi argjentinas ka kontratë me Interin deri në verën e 2026-ës dhe zikaltrit po nxitojnë t’i zgjasin bashkëpunimin, megjithatë negociatat nuk kanë ecur ashtu siç duhet.

Nëpërmjet agjentit Camano, Lautaro ka kërkuar një pagë prej 12 milionë eurosh në sezon, e cila do të rritet me dy milionë euro për çdo sezon që kalon, shifra këto që janë shumë larg ofertës së zikaltërve për një pagë prej 8.5 milionë eurosh në sezon.

Tek Interi shpresojnë që vetë Lautaro të marrë në konsideratë faktin që ndihet mirë në Milano dhe i është besuar shiriti i kapitenit, për të ulur pretendimet, teksa agjenti i sulmuesit ka zbarkuar tashmë në qytet dhe pritet të takohet me Marottën e Ausilion brenda të shtunës.

Zikaltrit janë gati të sakrifikojnë diçka, por kurrsesi të plotësojnë dëshirat e Camanos, ndaj nëse palët nuk gjejnë gjuhën e përbashkët, atëherë nuk përjashtohet mundësia që të mendohet shitja e kapitenit.

Marotta e Ausilio nuk do të donin kurrsesi që të rrezikonin ta humbin argjentinasin me parametra zero, ndaj janë gati të pranojnë ofertat që mund të vijnë në drejtim të tij, nëse nuk gjejnë gjuhën e përbashkët për rinovimin e kontratës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close