Los Angeles Clippers ka arritur ta fitojë ndeshjen e parë në finalen e Konferencës së Perëndimit në NBA.
Pas dy humbjeve radhazi në “Phoenix Arena”, LA Clippers zhvilluan ndeshjen e tretë në “Staples Center”, ku edhe në fund triumfuan me rezultatin 106:92.
Paul George ka qenë më meritori për këtë fitore të vendasve me 27 pikë, 15 kërcime e tetë asistime.

Ndërkohë me lojë të mirë u dallua edhe fundori Reggie Jackson që shtoi 23 pikë, derisa qendra kroate Ivica Zubac kontribuoi me 15 pikë e 16 kërcime.
Deandre Ayton ishte më efikasi te mysafirët me 18 pikë, por që nuk mjaftuan për t’i siguruar Phoenixit fitoren.
Kësisoj pas tri ndeshjeve të para në finalen e Konferencës së Perëndimit, Suns janë duke udhëhequr 2-1 me fitore.

