Pau Cubarsi mund të konsiderohet si një nga zbulimet kryesore të Barcelonës në këtë sezon. 17-vjeçari shpërbleu besimin e trajnerit Xavi Hernandez dhe ndeshje pas ndeshje, u shndërrua në një titullar duke treguar në fushë shumë kualitet dhe personalitet pavarësisht moshës.

Në këtë formë, te Barcelona nuk kanë ndërmend të privohen nga shërbimet e spanjollit dhe drejtuesit po përgatisin një kontratë “galaktike” për Cubarsin. Sipas asaj që ka zbuluar “AS”, Cubarsi do të rinovojë kontratën dhe do të nëshkruajë me blaugranat deri në vitin 2029, teksa do të përftojë edhe një rritje të konsiderueshme të pagës vit pas viti.
Kështu, në sezonin e ardhshëm, Cubarsi do të “arkëtojë” katër milionë euro për të mbërritur deri në shifrën e 12 milionë eurove në vitin e fundit të kontratës. Sa i takon klauzolës së lirimit ajo pritet të prekë shumën e 500 milionë eurove. Sipas medias spanjolle, kjo kontratë do të nënshkruhet sapo lojtari të mbushë 18-vjeç më datë 22 janar të vitit 2025.

