Të mërkurën starton rrethi i dytë i garave në elitë, me ndeshjet e xhiros së 12-të. Kundërshtar i radhës për Shkëndijën e Tetovës do të jetë Besa e Dobërdollit, në një përballje ku të dyja skuadrat imperativ kanë vetëm fitoren.

Mesfushori i Shkëndijës Kamer Qaka ka pranuar se barazimet në tre ndeshjet e fundit kanë penalizuar skuadrën në renditjen tabelare, mirëpo ekipi sheh përpara dhe nga ndeshja e nesërme me Besën kërkohet fitore dhe vazhdim i garës për titullin kampion.
“Kta tre ndeshjet e fundit ishin në lartësinë jo të duhur nga ana jonë pasi kemi dalë me barazime. Megjithatë kemi atmosferë të mirë në grup. Tani na pret nesër ndeshje e re ku do të futemi 100% dhe besojmë të dalim me fitore. Mendoj se pas këtyre ndeshjeve që kemi dalë me barazime, jemi më të fokusuar dhe kemi shumë motivim për tu kthyer në rrugën e fitoreve, duke nisur nga ndeshja me Besën dhe për të vazhduar garën për titullin kampion këtë sezon”, deklaroi Qaka.
Përballja Shkëndija – Besa luhet të mërkurën në stadiumin e qytetit në Tetovë me fillim në orën 13:00. /Sportmania/

