Përmes një komunikate të publikuar në rrjetet sociale, grupi që aktualisht administron faqen dhe aktivitetet e FC Shkupit ka njoftuar ngrirjen e të gjitha veprimeve të tyre në klub. Sipas njoftimit, faqja tashmë kontrollohet nga përkrahësit, të cilët prej kohësh po angazhohen për shpëtimin dhe stabilizimin e klubit.

Vendimi vjen pas paqartësive të krijuara rreth statusit të udhëheqjes, pasi një person i prezantuar si “i autorizuar” nga ish-presidenti ka komunikuar se ka marrë drejtimin e klubit. Grupi i tifozëve thekson se autorizimi i prezantuar nuk dëshmon transferim pronësie, por vetëm përfaqësim administrativ, çka ka nxitur shqetësime për transparencën dhe të ardhmen e funksionimit të klubit.
Duke mos arritur marrëveshje të shkruar për formën e bashkëpunimit dhe drejtimin e klubit, përfaqësuesit e tifozëve kanë vendosur të pezullojnë aktivitetet deri në sqarimin e situatës, duke theksuar përgjegjësinë ndaj lojtarëve, stafit dhe opinionit sportiv.
Situata mbetet e hapur, ndërsa pritet një zgjidhje institucionale në prag të nisjes së pjesës pranverore të sezonit.

