Mbrojtësi i Shkëndijës, Imran Fetai, ishte sërish ndër më të spikaturit në barazimin që tetovarët arritën ndaj skuadrës polake Jagiellonia, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e tretë të Ligës së Konferencës të UEFA-s. Me paraqitjen e tij, 23-vjeçari mund ti ketë hapur rrugën vetes drejt një transferimi të rëndësishëm.

Gjatë gjithë ndeshjes, Fetai ishte shtylla kryesore e mbrojtjes së Shkëndijës së bashku me Klisman Caken. Ai ndali disa aksione të rrezikshme të kundërshtarëve dhe i dha siguri vijës së pasme, duke u bërë një prej lojtarëve më të vlerësuar në fushë. Performanca e tij nuk kaloi pa u vënë re.
Sipas asaj që shkruan portali “Open-TV”, për Fetain ka shfaqur interes serioz gjiganti polak Lech Poznań, i cili kishte dërguar skautë për ta ndjekur ndeshjen e zhvilluar në arenën “Todor Proeski” në Shkup. Krahas përfaqësuesve të klubit polak, ndeshjen e kanë ndjekur edhe vëzhgues nga disa klube të tjera evropiane.
Megjithatë, burime pranë klubit tetovar theksojnë se interesi i Lech Poznań është më konkret dhe se pikërisht ky ekip mund të jetë destinacioni i ardhshëm për mbrojtësin e talentuar.
Imran Fetai është pjesë e Shkëndijës që nga viti 2025. Më parë ai ka luajtur për Besën e Dobërdollit, Tikveshin, Gostivarin.

