Në kuadër të javës së 25-të në Ligën e Dytë të Maqedonisë së Veriut, ekipet shqiptare Bashkimi dhe Arsimi kanë marrë fitore të rëndësishme në garën për inkuadrim në elitën e futbollit vendor.

Bashkimi nga Kumanova e pati më të vështirë se sa pritej ndaj ekipit të vendit të fundit, Vardarski. Ndonëse favoritë të mëdhenj, fitorja erdhi vetëm në minutat e fundit të takimit, me rezultat 2:0.
Arsimi nga Çegrani shënoi gjithashtu një fitore të vlefshme në terrenin vendas ndaj ekipit të Kožuvit, duke triumfuar me shifrat minimale 1:0.
Të dyja këto skuadra mbajnë presionin ndaj liderit aktual, Makedonija GJ.P., që gjithashtu fitoi sot me 1:0 ndaj Detonitit dhe mban vendin e parë me 56 pikë, aq sa ka edhe Bashkimi, ndërsa Arsimi ndjek nga pas me 54.
Në ndeshjet tjera të kësaj jave:
• Belasica – Skopje 1:0
• Borec – Bregalnica 0:1
• Novaci – Vardar N. 2:0
• Ohri – Osogova 2:2
• Pobeda – Sasa 1:0
Në takimin mes Ohrit dhe Osogovës ndodhi një incident i rëndë në fund të ndeshjes pas një përplasjeje mes lojtarëve të dy skuadrave, ku futbollisti mysafir përfundoi me lëndime dhe u dërgua menjëherë në spitalin e Ohrit.
Tabela e kryesimit pas javës së 25-të:
1. Makedonija GJ.P. – 56 pikë
2. Bashkimi – 56 pikë
3. Arsimi – 54 pikë
4. Bregalnica – 51 pikë
Gara për Ligën e Parë po bëhet gjithnjë e më interesante, me tri skuadra që po luftojnë kokë më kokë për dy vendet e para.

