Kukësi vazhdon rrugëtimin drejt titullit të kampionit dhe të dielën para vetes kanë sfidën e rradhës kampionale. Sulmuesi anësorë i Kukësit, beson se skuadra e tij ka kapacitetin për të dalë me tre pikë në transfertën me Bylisin. Tetovari gjen formën e duhur, duke qenë ‘heroi’ i Kukësit në fitoren e fundit kampionale 3:1 ndaj Laçit, kur inspiroi përmbysjen për të asistuar në golin e barazimit 1:1, ndërsa në fund shënoi për mbyllje të llogarive. Në mesjavë luajti në pjesën e dytë të fitores së Kupës ndaj Lushnjës dhe tash pret të kthehet titullar në duelin e nesërm.

”Personalisht besoj se gjej formën optimale, ndërsa edhe skuadra po luan me shumë besim. Jam i lumtur që mund të ndihmoj ekipin në arritjen e fitoreve në rrugën drejt titullit dhe shpresoj që kontributi im të jetë edhe më i madh. Me shumë motiv presim transfertën me Bylisin, skuadër cilësore për të cilët kemi respekt maksimal. Mirëpo ne duam fitoren dhe besoj se kemi cilësi dhe aftësi të menaxhojmë një tjetër paraqitje që do na sjellë përforcim të kreut”, shprehet për Sportmania futbollisti i Kukësit, Valon Et’hemi.
Takimi Bylis-Kukës luhet të dielën në orën 14:00.


