Ditën e hënë u zyrtarizua marrëveshja KF Egnatia-Zekirija Ramadani, e cila vendos teknikun shkupjan në krye të ekipit që militon në Super Ligën Shqiptare (Abissnet). Interesant është fakti se vetëm disa ditë ka zgjatur “papunësia” e Ramadanit, i cili pas ndarjes me Prishtinën në mënyrë eksprese gjeti angazhimin e radhës. Dhe në këto raste nuk është e vështirë të kuptohet se dikush me autoritet qëndron prapa kësaj lëvizje, posaçërisht për të bindur një kryesi që dukej të kishte vendosur pankinën t’ia besonte ndonjë trajneri të huaj. Ertan Demiri, ish-futbollisti i suksesshëm jo vetëm në Maqedoni e Shqipëri, por që u paraqit në karrierën e tij edhe në elitën e futbollit belg, tanimë ngadalë por sigurtë po zgjeron rrjetin e tij në sferën e menaxhimit. Drejtor sportiv te Trepça 89 kur këta luanin në fazën e hershme të Champions League, më vonë edhe te FC Shkupi, mes tjerash së fundmi Ertan Demiri ka bërë punë shumë të mirë për KF Egnatian e Rogozhinës. Në verë i propozoi dhe i mbylli me sukses dy kalime, Besar Isenin e Besart Krivanjevën, duke lënë shumë të kënaqur drejtuesit e ekipit shqiptarë, e që si pasojë megjithë planet tjera, nuk e kanë vendosur në pikëpyetje angazhimin e një trajneri të trofeshëm si Zekirija Ramadani, që në momentin kur Ertan Demiri do të thonte se ky është zgjidhja e duhur. Aq ka mjaftuar, presidenca e trajneri kanë shtërnguar duart që në takimin e parë të shtunën, ndërsa zyrtarizimi erdhi dje (e hënë) kur u firmos edhe kontrata a bashkëpunimit.




