Sonderjyske ka shënuar fitore bindëse 5:0 ndaj ish-anëtarit të Superligës daneze, Horsens, ndërsa protagonistë për ekipin ngadhnjyes ishin dy lojtarët nga Maqedonia e Veriut, Sefer Emini dhe Ivan Nikolov. Emini asistoi në golin e dytë, derisa Nikolov ishte ai që hapi rezultatin me golin për 1:0 në minutën e 21, duke çelë serinë e 5 golave të vendasve. Ky i fundit vetëm javë më parë nga Bregallnica e Shtipit kaloi te Sonderjyske, ndërsa transferimin e ndërmjetësoi shqiptari nga Tetova, Mahi Hismani. Ky i fundit nuk fsheh kënaqësinë si ka nisur aventura e Nikolovit në kategorinë e dytë të futbollit danez.


“Start më të mirë nuk kemi mundur të dëshirojmë. Startues që në ndeshjen e parë, ndërsa tani sjell edhe golin. Puna jonë ishte ta sillnim aty, detyra e tij të arsyetojë besimin. Kështu si ka nisur, paralajmëron aventurë të suksesshme me çka do të hapte rrugën për tjera transferime nga Maqedonia drejt Danimarkës”, shprehet Mahi Hismani, tetovari me qëndrim në Herlev në afërsi të Kopenhagenit.


