Sokol Cikalleshi bën protagonistin te skuadra e Konyaspor në elitën turke, edhe pa qenë nevoja të shkruajë emrin e tij në listën e golashënuesve. Sulmuesi i kombëtares ishte vendimtar në suksesin e Konyaspor në shtëpi ndaj Gazientep me shifrat 2-0.

Ishte pikërisht kavajasi ai i cili dhuroi asistin e golit të parë për skuadrën e tij në minutën e 68-të. Cikalleshi harkoi bukur në zonë dhe pasimi i shqiptarit u shfrytëzua më së miri nga ana e Guilherme që realizoi me kokë.
Gol ky që i hapi rrugën fitores me Konyaspor që shënoi edhe një tjetër për të marrë tre pikëshin e parë në kampionat.Skuadra e Cikalleshit është në kuotën e pesë pikëve pas tre ndeshjeve të parë ndërsa vlen të theksohet se sulmuesi i kombëtares e ka nisur me “këmbën e mbarë” këtë sezon pasi në tre ndeshje numëron dy gola dhe një asist.
Kujtojmë se 33-vjeçari u rikthye në Turqi këtë merkato pas një sezoni në huazim tek Al Khaleej në Arabinë Saudite. Forma e mirë e Cikalleshit është një shenjë pozitive edhe për kombëtaren e Shqipërisë teksa në shtator kuqezinjtë luajnë dy sfida vendimtare për Euro 2024, ato ndaj Çekisë dhe Polonisë.

