Trajneri tetovar Berat Imeri me sukses ka kaluar edhe nivelin më të lartë të edukimit për trajner të futbollit, duke u pajisur tashmë me PRO Liçencë.

Një prej trajnerëve më të mirë që kanë dalë kohëve të fundit nga rajoni i Pollogut në përgjithësi e Shkëndija e Tetovës në veçanti është Berat Imeri.
Duke qenë i përkushtuar në profesionin e tij dhe për të investuar në vetvete për tu përgatitur profesonalisht, Imeri ka ndjekur e kaluar me sukses gjitha seminaret e studimet e nevojshme për trajnerë, ndërsa pas liçencave B dhe A të UEFA-s, tashmë merr edhe gradën më të lartë të edukimit për trajner, UEFA PRO Liçencë.
Përfundimin e suksesshëm të kësaj faze Berat Imeri e rumbullaksoi me mbrojtien temës së diplomës për PRO Liçencë. Tetovari kishte zgjedhur temën “Tranzicioni pas marrjes së topit (nga mbrojtja në sulm)”, derisa të njejtën para Komisionit për Liçencim me përpikmëri e mbrojti si në pjesën praktike, ashtu edhe në atë teorike ku shtjelloi në detaje dhe manifestoi përgatitje admiruese për tranzicionin ofanziv dhe defanziv në lojën e futbollit.

Ish-futbollisti i Shkëndijës, Renovës e Dritës, zejen e trajnerit e zhvilloi në moshat e reja te Shkëndija e Renova, madje me kuqezinjtë duke fituar edhe tituj e trofe, para se të angazhohet si trajner i parë te Korabi i Dibrës.
CV së tij si trajner i shtoi arritje serioze me Voska Sport nga Ohri, duke drejtuar skuadrën drejt titullit kampion më Ligën e Dytë të Maqedonisë në një konkurencë të fortë me Gostivarin, Vardarin e Pelisterin. Emri i Berat Imerit do të mbetet në histori si trajneri që udhëhoqi Voska Sportin në inkuadrimin në elitën e futbollit vendor.
Me paisje me PRO Liçencë, Imeri tashmë ka kaluar edhe pengesën e fundit dhe fiton të drejtën e drejtimit të çdo skuadre në gjitha nivelet e mundshme.

