Derbi i Anamoravës ka shkuar për Dritën e udhëhequr nga trajneri shkupjan Ardian Nuhiu, që ia doli të triumfojë me rezultatin 2-0 ndaj Gjilanit dhe t’i parakalojë këta të fundit në renditje, duke shkuar në kuotën e 34 pikëve, aq sa ka edhe Prishtina e vendit të dytë.

Nën një atmosferë të jashtëzakonshme, të krijuar nga tifogrupet “Intelektualët” dhe “Skifterat” në stadiumin e qytetit të Gjilanit, të dy skuadrat dhuruan një futboll të luftuar dhe me shumë emocione.
Megjithatë pjesa e parë u mbyll në barazim pa gola, ndërsa festa në shkallët e stadiumit shpërtheu në minutën e 65-të, kur sulmuesi Betim Haxhimusa arriti të shënojë golin e avantazhit për Dritën.
Skuadra e Gjilanit provoi të reagojë, por kur kishin mbetur edhe 10 minuta nga fundi, ishte sërish Betim Haxhimusa që shënoi edhe golin e dytë për Dritën, pas një daljeje të shpejtë, duke vulosur suksesin e “Intelektualëve”.

