Në fundjavë u mbyll xhiroja e dytë në sezonin e ri në elitën e futbollit vendor, ndërsa favoritët kryesor për titullin, Shkëndija e Tetovës regjistroi edhe fitoren e parë, duke triumfuar me rezultat 2:0 ndaj Struga Trim Lum. Pas barazimit 2:2 me Shkupin në start të sezonit, tetovarët në ndeshjen e dytë në fushë të vet zhvilluan lojë të mirë më shumë raste dhe vetëm dy gola të Totres dhe Dorievit ishin të mjaftueshëm për fitore dhe tre pikë të para në sezonin e ri. Trajneri i kuqezinjtëve, Ernest Gjoka ka komentuar rrjedhen e ndeshjes me Strugën dhe ka theksuar se ekipi i tij ka potencial për vazhduar përpara.

Ernest Gjoka, trajner i Shkëndijës
“Ajo që do kisha përmirësuar është te jemi më
të qetë, sepse në përgjithësi kundër Shkëndijës të gjithë luajnë më shumë në fazën
mbrojtëse dhe gjithmonë mundohen të na godasin. Prandaj të jemi më të qetë, të
lexojmë ndeshjen, të menaxhojmë situatën kur edhe kundërshtari ka minutat e
tij, sepse në çdo lojë ndodh kjo. Po filluam të fitojmë me qetësi, fitojmë edhe
rritmin, pastaj mendoj se Shkëndija ka potencial të ec përpara.”
Shkëndija në xhiron e radhës është mysafire e Makedonija Gjorçe Petrovit. Ndërkohë fitoren e parë në sezonin e ri, mori edhe Shkupi, pasi në Çair mundi Makedonija Gjorçe Petrovin me rezultatin 3:1. Punët në këtë xhiro nuk shkuan mirë për Renovën, që nga Velesi u kthye vetëm me një pikë, pasi nuk shkoi më shumë se një barazim 1:1 ndaj Borecit.

