Skuadra spanjolle ka eliminuar në gjysmëfinale Manchester Unitedin me rezultat 2:1.

Ndeshja nisi më mirë për ‘Djajtë e Kuq’ me Rashford që fitoi një penallti pas nëntë minutave lojë, të cilin e konvertoi në gol Bruno Fernandes (9’).
Në vazhdim, skuadra e Julien Lopetegui vazhdoi të kërkonte golin e barazimit të cilin e gjeti me anë të Suso (26’), falë një mbrojtje të përgjumur.
Megjithatë, anglezët vijuan sulmet e parreshtura për të kërkuar golin e epërsisë. Për fatin e tyre të keq, portieri i Sevillës Bono ishte në formë të jashtëzakonshme, duke ndalë pothuajse çdo goditje.
Dhe befasia erdhi 12 minuta para fundit. Krosimi nga e djathta i Jesus Navas gjeti mjaft mirë në zonë Luuk de Jong (78’), i cili vulosi rezultatin përfundimtar 2:1 për skuadrën e tij.
Pas golit të pranuar, dy bashkëlojtarët te United Bruno Fernandes dhe Victor Lindelof u fjalosën, për shkak të reagimit të ngathët të këtij të fundit dhe mbrojtjes në tërësi.
Man Utd u përpoq deri në fund për të barazuar rezultatin, por ishte e pamundur dhe kësisoj Sevilla u kualifikua në finale, aty ku e pret fituesin e ndeshjes Inter – Shakhtar Donetsk.
Sevilla njashtu është rekordmene në këtë kompeticion, pasi e ka fituar pesë herë derisa ka arritur në finale plotë gjashtë herë – së paku dy herë më shumë se çdo ekip tjetër. /Lajmi.net/

