Ditët e fundit në opinionin sportiv kanë qarkulluar zëra se ish-përzgjedhësi i Maqedonisë së Veriut, Blagoja Milevski, mund të jetë një nga emrat që po shqyrtohet për stolin e Shkëndijës. Deri më tani nuk ka asgjë zyrtare, por emri i tij ka nxitur diskutime të shumta mes tifozëve.

Përtej rezultateve sportive, Milevski gjatë karrierës së tij është dalluar si një trajner që gjithmonë ka vlerësuar cilësinë para çdo gjëje tjetër. Pikërisht për këtë arsye, ai ka qenë ndër trajnerët që më së shumti u ka besuar futbollistëve shqiptarë në përfaqësueset e Maqedonisë së Veriut.
Suksesi më i madh i tij erdhi në vitin 2017, kur për herë të parë në histori përfaqësuesja U21 e Maqedonisë së Veriut u kualifikua në Kampionatin Evropian për të rinj në Poloni. Në atë ekip, futbollistët shqiptarë kishin rol të rëndësishëm dhe disa prej tyre ishin pjesë e pandashme e formacionit bazë.
Një nga momentet më simbolike mbetet goli i parë i Maqedonisë së Veriut në një turne madhor. Edhe pse në ekip kishte edhe emra të tjerë të rëndësishëm, Milevski ia besoi Enis Bardhit goditjen nga pika e bardhë, ndërsa mes futbollistëve kryesorë të asaj gjenerate ishin edhe disa shqiptarë që kishin rol vendimtar në suksesin historik.
Më vonë, një pjesë e madhe e asaj skuadre u bë baza e ekipit që debutoi në Kampionatin Evropian të vitit 2021. Edhe pse kualifikimi erdhi nën drejtimin e Igor Angelovskit, themelet e asaj gjenerate ishin ndërtuar nga Milevski.
Një tjetër fakt interesant lidhet me Jasir Asanin. Pikërisht Milevski ishte ndër njerëzit që luftoi më shumë për ta bindur Asanin të vazhdonte me fanellën e Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, problemet administrative dhe zhvillimet e mëvonshme bënë që kjo të mos realizohej, ndërsa sot Asani është një nga emrat më të rëndësishëm të Kombëtares së Shqipërisë.
Në të njëjtën linjë, Milevski nuk hezitonte të kërkonte futbollistë shqiptarë me cilësi të lartë edhe jashtë vendit. Në periudha të ndryshme ai shprehu interesim për emra si Nedim Bajrami dhe futbollistë të tjerë me origjinë shqiptare, duke tentuar t’i bindte të vishnin fanellën e Maqedonisë së Veriut. Kjo dëshmon se për të kriteri kryesor ka qenë gjithmonë cilësia sportive dhe jo përkatësia etnike.
Pas Evropianit, federata i besoi drejtimin e përfaqësueses A. Nën drejtimin e tij, Maqedonia e Veriut arriti një tjetër sukses historik, duke eliminuar Italinë në Palermo dhe duke mbërritur vetëm një ndeshje larg kualifikimit në Kupën e Botës.
Edhe në ekipin A, Milevski vazhdoi t’u japë hapësirë futbollistëve shqiptarë, derisa Enis Bardhit i’a besoi shirin e kapitenit. Përveç emrave standardë si Ezgjan Alioski, Arian Ademi, Isnik Alimi dhe Visar Musliu, ai u dha mundësi edhe futbollistëve si Lirim Qamili, Sefer Emini, Agon Elezi, Valon Ethemi, e të tjerë.
Nëse emri i tij vërtet po shqyrtohet nga Shkëndija, atëherë klubi nuk po sheh vetëm një trajner me eksperiencë ndërkombëtare. Po flasim për një trajner që njeh futbollin vendor, ka provuar të ndërtojë skuadra konkurruese, njihet për disiplinën e madhe dhe mbi të gjitha për një filozofi ku profesionalizmi dhe meritokracia qëndrojnë mbi çdo aspekt tjetër.

