Një nga protagonistët e suksesit historik të KF Shkëndija Haraçinë 77, sulmuesi Zani Nazifi, ka njoftuar largimin nga klubi pas përfundimit të sezonit.

Nazifi ishte një prej figurave kyçe në rrugëtimin drejt inkuadrimit në Ligën e Parë, ndërsa do të kujtohet veçanërisht për golin e shënuar në ndeshjen e “play-off”-it ndaj Pelisterit, që i hapi rrugën realizimit të ëndrrës së madhe të klubit nga Haraçina.
Përmes një mesazhi publik, ai falënderoi drejtuesit, trajnerët, bashkëlojtarët, tifozët “Çlirimtarët” dhe gjithë publikun e Haraçinës për mbështetjen, duke theksuar krenarinë që ishte pjesë e gjeneratës që e dërgoi klubin për herë të parë në elitën e futbollit vendor pas 49 vitesh.
Nazifi largohet nga Haraçina me mirënjohje dhe kujtime të bukura, pas një gjysmësezoni të suksesshëm të kurorëzuar me një arritje historike për klubin kuqezi.

