Legjenda Van Basten analizon kuqezinjtë: Milan i madh, por në Europë duhet cilësi

Marko van Basten, ish-sulmues i Milanit për tetë sezone (gjashtë efektive), për një total prej 201 ndeshjesh të luajtura, 125 gola të shënuar dhe 13 trofe të ekipit të fituar (plus 3 Topa të Artë) midis 1987 dhe 1995, foli për kuqezinjtë në një intervistë të gjatë të dhënë për “La Gazzetta dello Sport”. Në vijim, të gjitha deklaratat e “Mjellmës së Utrehtit”, i cili sapo është përfshirë në “Hall of Fame” (Shëtitoren e Famës) të klubit kuqezi.

Çfarë mund të thoni për lidhjen tuaj të fortë me Milanin?

Nëse ke luajtur në Milano, me fanellën e Milanit, është e vështirë të mos ndjesh lidhjen me qytetin, stadiumin, tifozët dhe me historinë e këtij klubi të madh. Për mua, ngjyrat kuqezi, publiku dhe klubi do të mbeten gjithmonë diçka e veçantë. Edhe pse jetoj në Holandë, kur Milani luan, gjëja e parë që kontrolloj është rezultati.

Çfarë do t’u thoshit të rinjve për të shpjeguar ADNnë evropiane të Milanit të kohës suaj?

Ishte uniteti i një klubi që kishte në krye dy drejtues me përvojë të kalibrit të Berluskonit dhe Adriano Galianit. Presidenti kishte një vizion dhe e çoi përpara duke zgjedhur mirë trajnerë dhe lojtarë. Me kalimin e viteve kemi pasur një super skuadër: me Tasotin, Barezin, Kostakurtën, Maldini kemi pasur mbrojtjen më të mirë në Evropë. Në mesfushë me Ançelotin ishin Donadoni, Rajkard, Kolombo, Evani dhe Albertini; në sulm unë, Gulit, Massaro etj. Mentaliteti ishte të fitonim gjithmonë, me çdo kusht. Edhe sikur të kishin mbetur pak minuta lojë. Tekniku është i rëndësishëm, por nëse ke një bërthamë kampionësh, gjithçka bëhet më e lehtë.

Sa e vështirë ishte për ju tërheqja në moshë aq të re?

Ishte e vështirë të pranoje që të lije sportin në moshën 28-vjeçare. Pashë Maldinin, Kostakurtën dhe Barezin që luajtën deri në moshën 40- vjeçare dhe për ta ishte diçka e mirë. Edhe mua do të më pëlqente, por do të isha mjaftuar edhe me 7-8 sezone të tjera. Fatkeqësisht nuk ishte e mundur.

Çfarë i duhet Milanit të fitojë sërish?

Ky është një klub i madh, ka një stadium fantastik dhe një bazë super tifozësh. Fatkeqësisht vitet e fundit Interi ka qenë në krye dhe për tifozët e Milanit ishte një goditje në zemër. Kohë të vështira. Jam i bindur se Milani do të fitojë sërish. Ndoshta mund të ndihmonte po të kishte më shumë italianë. Aktualisht skuadra ka disa lojtarë të mirë, por duhen italianë në klubet e mëdha. Edhe kombëtarja po vuan pasojat. Në Spanjë, për shembull, e vlerësojnë më shumë talentin.

Si ju duket ideja e re të futbollit që Fonseka po përpiqet t’i përcjellë ekipit?

Milani nuk ka lojtarët e mëdhenj që ishin në kohën time dhe kështu nuk është e lehtë të arrish gjithmonë rezultate. Trajneri ndryshoi pas disa vitesh dhe Fonsekës i duhet t’i jepet kohë për të punuar dhe për të qenë i durueshëm.

Si ju duket Ibra në rolin e drejtuesit?

E kam njohur që kur ishte te Ajaksi. Më kërkoi këshilla, por nuk mund t’i tregoja asgjë në praktikë pasi kavilja është një problem që e kam edhe sot. Nuk e mendoja se do të bëhej drejtues, por ka kaluar një kohë të gjatë në futboll dhe ka shumë përvojë. Klubet kanë nevojë për njerëz që kanë luajtur, që e dinë se çfarë do të thotë të jesh futbollist. Zlatan ka udhëtuar nëpër botë, ka qenë në shumë klube, gjithmonë ka treguar një mentalitet fitues dhe do ta përcjellë atë. Ai mund të jetë një ndihmë e madhe për ta rikthyer Milanin në krye.

Ndihmesë po jep edhe Reijnders, bashkatdhetari juaj…

Shpërthimi i tij për mua ishte paksa i papritur sepse në Alkmar ishte një lojtar shumë i mirë, por asgjë e ekzagjeruar. Ai mbërriti në Milano në moshën 25- vjeçare, pra tashmë i stërvitur, dhe nuk e besoja se mund të bëhej kaq i fortë, të bënte kaq shumë përparim. Në fushë ai është argëtues sepse bën atë që mendon dhe transmeton gëzim. Herë pas here bën edhe gabime, por nuk ka frikë dhe shpesh bën lëvizje të pabesueshme. Nuk e di nëse është ndër mesfushorët më të mirë në botë, por me siguri është një nga më të mirët në qarkullim.

Mes ulje-ngritjeve të Milanit si e keni parë Moratën?

Ai ka pasur disa lëndime dhe nuk është e lehtë për një sulmues që të gjejë vazhdimësi duke mos luajtur. Ka bërë mirë tek Atletikos dhe ka përvojë. Jam i bindur se ai do t’i japë skuadrës një ndihmesë të madhe në pjesën e dytë të sezonit.

Si e shikoni të ardhmen e Kamardës në Milano?

E di që është shumë i ri dhe kam parë disa nga paraqitjet e tij në skuadrën e Parë. Milani ka një xhevahir në duar dhe shpresoj që Françësko të mund të ndihmojë klubin të fitojë.

Po Leao si ju duket?

Ai është i zoti, shpesh driblon një ose dy kundërshtarë dhe ka ide që nuk shihen shpesh. Leao është një element me potencial të madh dhe i takon atij ta tregojë atë plotësisht. Mendoj se mund të rritet ende shumë dhe të bëjë më mirë.

Si e vlerësoni Real Madrid-Milan 1-3 në Champions?

Ishte një sukses i madh. Si ato të së shkuarës. Isha me Ançelotin javën e kaluar dhe nuk ishte një ndeshje e mirë për të… Milani nga ana tjetër arriti një rezultat të mrekullueshëm dhe u rikthye fuqishëm në renditjen e Ligës së Kampioneve.

Sa shanse kanë kuqezinjtë për t’u renditur mes tetë më të mirave në Champions?

I nevojiten dy fitore në dy ndeshjet që kanë mbetur dhe nuk ka ndeshje të lehta në Evropë. Shpresoj që Milani të shmangë play-off-in dhe të shkojë direkt në 1/8-ave. Të mendosh për të fituar Ligën e Kampionëve është mbase e tepër, por në të ardhmen mund ta bëjë.

Cilët janë favoritët tuaj për triumfin në Champions?

Liverpuli. E njoh Arne Slot, kam folur disa herë me të dhe është shumë i aftë në punën e tij. Ai ka një ide shumë të qartë për futbollin dhe rezultatet e bëjnë të qartë se ai ka arritur menjëherë të ndikojë në ekip, të përcjellë atë që kishte në mendje.

Në garën për titull në Serie A a është Milani jashtë garës?

Seria A është argëtuese këtë vit sepse ka kaq shumë klube afër njëri-tjetrit dhe që luftojnë për titullin. Renditja thotë se 6-7 skuadra mund të fitojnë në fund dhe kjo është një gjë e mirë për tifozët, por edhe për futbollin italian që do të ndiqet më shumë edhe jashtë Italisë.

Cilët janë sulmuesit më të mirë në Europë tani?

Kam ndjekur nga afër Realin në kohët e fundit dhe Mbape me Vinicius Zhunior janë vërtet shumë të fortë. Erling Haland është gjithashtu shumë i mirë. Për Joshua Zirkze që zgjodhi Mançester Unitet në vend të Milanit: Ai është një lojtar i mirë, por është i ri dhe i mungon përvoja. Ai pati një sezon të mirë te Bologna, por me gjithë respektin e duhur, Bolonja nuk është Milan, Inter apo United. Duhet t’i jepni kohë.

A ka shanse për një rikthimin të mundshëm në futboll me një rol tjetër?

Jo, sepse nuk kam më mundësi të vrapoj aq më tepër shpejt. Kavilja është gjithmonë aty duke më shqetësuar (buzëqesh) dhe vitet si futbollist ndjehen. I ndodh edhe Gulit e Rajkardit… Përpara se të luaja pak golf ose padel. Tani, është më mirë të shikoj sport në TV sesa ta praktikoj. Vitet kalojnë…

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close