Shqipëria publikon listën, rikthehet Armando Broja

Trajneri i Shqipërisë, Sylvinho publikoi listën me lojtarët e grumbulluar për ndeshjen e datës 12 tetor ndaj Republikës së Çekisë dhe atë miqësore ndaj Bullgarisë më datë 17 tetor. Bie në sy rikthimi i Armando Brojës. Sulmuesi ka “hedhur pas krahëve” dëmtimin dhe për herë të parë do të jetë nën urdhrat e teknikut brazilian të kombëtares ndërsa jashtë liste ka mbetur Odise Roshi teksa është konfirmuar pjesa tjetër e futbollistëve.

Lista e plotë:

Portierë
Etrit Berisha, Thomas Strakosha, Elhan Kastrati

Mbrojtës
Berat Gjimshiti, Ardian Ismaili, Arlind Ajeti, Ivan Balliu, Mario Mitaj, Elseid Hysaj, Enea Mihaj, Frederic Veseli,

Mesfushorë
Ylber Ramadani, Klaus Gjasula, Kristjan Asllani, Nedim Bajrami, Arbnor Muja, Qazim Laçi, Keidi Bare

Sulmues
Mirlind Daku, Sokol Cikalleshi, Armando Broja, Ernest Muçi, Myrto Uzuni, Jasir Asani, Taulant Seferi

Kujtojmë se ndeshja ndaj Çekisë është e rëndësisë së veçantë pasi në rast të një rezultati pozitiv, kuqezinjtë do të bënin një hap të madh drejt kualifikimit për në Euro 2024 që do të zhvillohet verën e ardhshme në Gjermani. Shqipëria do të nisë zyrtarisht përgatitjet të hënën, më 9 tetor, në “Shtëpinë e Futbollit”. Lojtarët do të grumbullohen në kryeqytet, ndërkohë që është programuar që trajneri Sylvinho të dalë në konferencë për mediat ditën e shtunë prej orës 11:00 në sallën e konferencave në “Shtëpinë e Futbollit”.

Aktualisht, Shqipëria mban vendin e parë me 10 pikë në Grupin E, kuqezinjtë ndiqen nga Çekia me tetë pikë, po me tetë pikë është edhe Moldavia e vendit të tretë ndërsa në vend të katërt renditet Polonia me gjashtë pikë teksa grupin e mbyllin Ishujt Faroe me vetëm një pikë.

Kombëtarja kuqezi do t’i luajë në “Air Albania” të dyja ndeshjet e tetorit. Fillimisht Shqipëria përballet me Çekinë më 12 tetor, prej orës 20:45, ndërsa më pas në program është miqësorja me Bullgarinë më 17 tetor, ora 18:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close