Voska Sport ka debutuar me sukses mesatar në elitën e futbollit të Maqedonisë së Veriut dhe 7 pikë në 5 ndeshje (2 fitore, 1 barazim dhe 2 humbje) duhet vlerësuar si nisje pozitive. Dy humbjeve në start Voska Sport ju përgjigj me barazim dhe dy fitore, duke shkuar në pauzën ndërkombëtare me atmosferë pozitive. Për të vlerësuar këto 6 xhiro të para kemi folur me drejtorin sportiv të Voska Sport, Artan Borova, i cili për Sportmania ka zbuluar gjithçka rreth klubit, praqitjeve, ambientimit në elitë e ambicieve në sezonin debutues në Ligën e Parë dhe jo vetëm.

Sportmania: Artan, pas 6 xhirove në Ligën e Parë ku ju si debutues keni luajtur 5 ndeshje, na thuaj vlerësimin për paraqitjet e Voskës?
Artan Borova: “Ne e nisëm këtë sezon si debutues në elitën e elitën e futbollit në vendin tonë, si një klub i ri që normal do kërkonte kohën e duhur për adaptim. Me ecurinë e ekipit në këto xhiro jam i kënaqur, posaçërisht për reagimin që solli skuadra pas dy disfatave të para kur realisht edhe fati nuk ishte në anën tonë. Por këto janë gjëra që ndodhin në futboll dhe janë pjesë e këtij sporti.”
Sportmania: Duket qartë dallimi i Ligës së Parë me të Dytën, realisht edhe ju keni goxha ndryshime në përbërje. Mendon se kjo do të jetë e mjaftueshme për të pasur sezon të suksesshëm?
Artan Borova: “Mund të them se ndryshimet janë të mëdha ndërmjet Ligës së Dytë dhe Ligës së Parë. Unë si drejtor sportiv kisha obligim të sjell në skuadër cilësi dhe besim për të garuar me më të mirët. Rrugëtimi jonë në elitë sapo ka filluar dhe para nesh kemi edhe shumë punë për tu bërë me sfida të pritura e të papritura që na presin. Janë në pyetje edhe shumë ndeshje dhe për të ecur si duhet e pa presion, lojat i marrim një nga një për të arritur të realizojmë objektivat.”
Sportmania: Kur flasim për suksesin, çka do të paraqet sukses për Voskën këtë sezon? Cilat janë ambiciet tuaja?
Artan Borova: “Puna e ambicieve është diçka që lëviz në varshmëri me ecurinë e ekipit brenda sezonit. Mirëpo në princip ne si skuadër prej më parë kemi caktuar si qëllim këtë sezon të kemi stabilizojmë Voskën si klub në Ligën e Parë. Në plan afatgjatë synojmë vit pas viti të provojmë të rritemi për diçka më shumë.”
Sportmania: Ju personalisht jeni relativisht i ri në këtë pozicion, por rezultatet tregojnë se është bërë punë shumë e mirë këto 3-4 vitet e fundit. Na zbuloni pak sfidat me të cilat jeni përballur këto vite, ku gjenit forcë të ngriteni pas dështimeve, sa kënaqësi sjellnin sukseset historike me një ekip të ri që për herë të parë preku elitën,…?
Artan Borova: “Kur dëshira është e madhe për ta bërë një punë me pasion dhe dashuri e mbi të gjitha kur veprimet i ke me sinqeritet ndaj njerëzve me të cilët të lidh puna, fillon të të kthehet me besim. Aty është momenti i parë i suksesit dhe kënaqësisë sepse ndjen se je i besueshëm për njerëzit me të cilët punon. Jam i lumtur për besimin që kam nga ana e presidentit të klubit, z. Nefi Useini për çdo vendim që marr në lidhje me klubin. Normal që me besim mes veti dhe nëse punët bëhen si duhet, suksesi nuk ka si mungon dhe ne si klub i ri kemi shkruar histori në rrugëtimin tonë duke hyrë në mesin e më të mirëve. Nëse flasim për dështimet, mendoj se kyçe deri tani ka qenë fakti që kemi arritur të menaxhojmë për të ruajtur qetësinë në momentet e duhura si kryesi dhe brenda grupit. Kjo na ka ndihmuar pa presion të përballemi me krizat dhe më lehtë jemi ringritur. Futbolli kërkon durim për tu shpërblyer për punën dhe përkushtimin që ke investuar.”
Sportmania: Çka do të veçonit si sfidë të vërtetë për një drejtor sportiv? Cila është pjesa më e vështirë dhe cila pjesë të jep më shumë kënaqësi?
Artan Borova: “Do të kisha veçuar ndeshjen me Vardarin sezonin e shkuar, kur fituam me përmbysje në minutat e fundit dhe me atë triumf ne siguruam kualifikim në elitë. Nuk gjej fjalë për të përshkruar ato emocione dhe gjithë atë që ndodhi. Është diçka që për mua si drejtor dhe Ohrin si qytet nuk do të harrohen kurrë”.

