Kampionët e Anglisë dhe Europës, Mançester Siti kanë zgjatur bashkëpunimin me Nejtan Ake. Mbrojtësi holandez ka firmosur kontratën e re, që do e mbajë pjesë të skuadrës së Pep Guardiolës deri në verën e vitit 2027. “Ky është klubi më i mirë në botë, nuk kam asnjë dyshim në lidhje me këtë. Të qenit lojtar i Mançester Sitit më bën çdo ditë jashtëzakonisht krenar. Jemi një skuadër që kërkojmë përsosmërinë. Këtu ekziston mjedisi perfekt për t’u përmirësuar. Kjo më shtyn përpara për t’u bërë futbollist më i mirë”, tha mes tjerash Ake pas firmës mbi kontratën e re. 28-vjeçari luan me Mançester Sitin prej gushtit të vitit 2020 kur u ble nga Burnmuthi për 45 milionë euro. Ake është pjesë edhe e kombëtares holandeze, duke numëruar deri tani 37 ndeshje dhe 5 gola me tulipanët. Gjatë aventurës në Etihad, lojtari i prapavijës ka fituar gjashtë trofe, mes tyre 3 herë Premier Ligën dhe Çampionsin në edicionin e fundit.


