Në “Huvefarm arena” në stadiumin e skuadrës së njohur bullgare, Ludogerets këtu në Razgrad, përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut sot do të luajë ndeshjen e parë të edicionit të ri të Ligës së Kombeve ndaj Bullgarisë. Të përzgjedhurit e Bllagoja Milevskit që shihen më favorit se bullgarët për ta fituar këtë ndeshje, pritet ta konfirmojnë atë rol, për të nisur në mënyrën më të mirë mundshme këtë edicion të Ligës së Kombeve.

Përfaqësuesja ka kryer të gjitha përgatitjet për ndeshjen sotme ndaj Bullgarisë. Milevski në listën e tij ka edhe tre debutuesit si Grozdanovski, Dimoskin dhe Fazllagiqin, por nuk është se do ti llogaritë për këtë përballje ndaj bullgarëve, pasi formacioni i sotëm do të përbëhet me emra që kanë qenë pjesë e përfaqësueses edhe në ta kaluarën dhe që do të udhëhiqen nga Bardhi si kapiteni i ekipit dhe ylli i Napolit, Elif Elmas.
Në radhët e ekipit përfaqësues të Bullgarisë, më i mirë shihet futbollisti i Ludogoretsit, Kiril Despodov, i cili e ka mbyllur sezonin me 10 gola dhe 18 asiste.
Për Maqedoninë dhe Bullgarinë kjo do të jetë ndeshja e parë zyrtare ndërmjet tyre, pasi deri më tani kanë zhvilluar vetëm takime miqësore. Nga 7 ndeshjet e luajtura në të kaluarën me karrakter miqësor, 4 ndeshjet kanë fituar bullgarët, përderisa Maqedonia regjistron 2 triumfe dhe një ndeshje është mbyllur me barazim.
Përballja Bullgari – Maqedoni e Veriut do të luhet sot në stadiumin “Huvefarm arena”, duke nisur nga ora 18:00. Nga Razgradi i Bullgarisë për televizionin Shenja, Aziz Sahiti.

