Klubi i futbollit Shkëndija nga Tetova viteve të fundit jo vetëm që është vazhdimisht konkurent për kreun e tabelës, por gjithashtu fiton titujt kampion rregullisht edhe në pjesën më të madhe të gjeneratave të reja. Kjo ecuri e bazuar në punën që bëhet te karegoritë e moshave ka bërë që tashmë ndër vite paralel me prurjet e lojtarëve cilësorë nga vendi e jashtë, në ekipin e parë të defilojnë edhe futbollistë të rritur e zhvilluar në Shkollën e futbollit Shkëndija. Dhe kjo ecuri duket e determinuar për të vazhduar edhe në të ardhmen, pasi talentët nuk mungojnë. Lorik Kaba Jakupi është djaloshi që po e prezantojmë në këtë shkrim. I lindur në vitin 2005, Kaba tashmë sheh veten lojtar standard në ekipin e juniorëve (U19) të KF Shkëndija e Tetovës, rregullisht luan edhe me moshat e përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut edhe pse më herët është grumbulluar dhe ka veshur edhe fanellën e gjeneratave të reja të Kombëtares së Shqipërisë.


16 vjeçari luan si fantazist, tamam një 10-she që pozicionohet pas sulmuesve dhe krahas aftësisë për të ndërtuar lojën dhe të asistojë drejt bashkëlojtarëve, Loriku dallohet edhe me nuhatje të zhvilluar për të shënuar gola. Në sezonin garues 2020-2021 Lorik Kaba Jakupi vetëm për një gjysëm sezoni realizoi 9 gola dhe kishte shtuar edhe 4 asiste, ndërsa hovi i Shkëndijës dhe Lorikut u ndal nga pandemia me Covid-19 që krahas ndërprerjes bëri edhe anulumin e kampionatit.
Në sezon aktual, deri në këtë moment pas emrit të Kabës qëndrojnë 2 gola dhe 1 asist, me theks se në këtë kampanjë trajneri i ka ndryshuar pozivion, duke e vendosur në krahë ku me shumë sukses plotëson nevojat e skuadrës.
Vlen të ceket se Lorik Kaba thuajse asnjëherë nuk ka luajtur me gjeneratën e tij (viti 2005), pasi rregullisht trajnerët e kanë avansuar duke e aktivizuar me më të moshuar. Ai tashmë ka shijuar edhe të stërvitet me ekipin e parë të Shkëndijës, ku sipas ecurisë së tij nuk do të ishte e pamerituar nëse kalon rregullisht të bëhet pjesë e ekipit të parë.



