Reprezentuesi i Maqedonisë së Veriut shfaqet me tjetër paraqitje pozitive në Ligën e Parë turke, pasi në takimin e sotëm ishte vendimtar për fitoren 1:0 të Istanbulsporit përballë Umraniyesporit në kuadër të xhiros së 20-të. Tetovari performansën e mirë e kurorëzoi me penalti të fituar në minutën e 67-të kur ndalet me faul në zonën e rreptësisë, prej ku erdhi goli i vetëm dhe i tre pikëve me autor Ibrahim Yilmaz. Për Istanbulsporin kjo ishte fitorja e 10-të në këtë edicion, ku qëndrojnë në pjesën e play offit për inkuadrim në Superligë, ndërsa Et’hemi vazhdon të konfirmohet si një prej bartësve të lojës.


