Kur çështja e titullit kampion u mbyll në xhiron paraprake, në fundjavë vëmendja do të shkojë për ekipet që do të kërkojnë Europën. Xhiroja e 30-të në elitën e futbollit vendor do të nisë nga e shtuna, me dy ndeshje në program. Shkëndija në Tetovë do të pret Rabotniçkin. Të përzgjedhurit e Artim Shaqirit nuk kanë drejt gabimi për të mos rrezikuar pozitën e Europës dhe me çdo kusht do të kërkojnë tri pikët përballë skuadrës nga kryeqyteti, e cila do të udhëtojë për në Tetovë pas dy humbjeve rresht në kampionat.

Ndeshja tjetër që do të luhet të shtunën është edhe ajo ndërmjet Bregallnicës dhe Shkupit. Kampionët e ri, pa ndonjë presion, do të jenë mysafirë në Shtip, me Bregallnicën që këtë sezon ka ecur mesatarisht, duke u renditur për momentin e 5-ta në renditje me 39 pikë të tubuara.
Katër ndeshje tjera që do ta përmbyllin xhiron e 30-të, do të luhen të dielën.
Renova me Strugën do të përballen ndërmjet veti. Të dyja skuadrat shqiptare ndodhen në mesin e tabelës, me struganët që kanë një pikë më shumë se tetovarët. Këta të fundit nuk kanë ecuri të mirë në dy ndeshjet e fundit në kampionat, pasi regjistrojnë dy disfata, përderisa Struga në ndeshjen e fundit mundi bindshëm Pelisterin me rezultatin e thellë 4:0.
Makedonija Gjorçe Petrovi që pretendon të zë një vend në top treshen e këtij sezoni, në këtë xhiro do ti matë forcat me Akademia Pandevin. Në ndeshjet tjera përballen Pelisteri – Tikveshi dhe Boreci – Skopje. Të gjitha ndeshjet e xhiros së 30-të në elitën e futbollit vendor do të luhen nga ora 17:00.

