
Pas katër sezoneve të suksesshme me Voska Sportin, mesfushori 22-vjeçar Xhemil Jahiji është bërë zyrtarisht lojtar i lirë dhe është i gatshëm për një hap të ri në karrierën e tij. Futbollisti shkupjan tashmë mund të bashkohet pa detyrime me ndonjë klub të ri gjatë merkatos së verës.

Jahiji u bë pjesë e projektit të Voskës që në fillimet e saj në Ligën e Dytë dhe ishte ndër figurat kyçe në ngritjen e ekipit nga Ohri në elitën e futbollit vendor. Me paraqitje të qëndrueshme dhe rol udhëheqës në fushë, ai u shndërrua në një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës, ndërsa këtë sezon mbante edhe shiritin e kapitenit.
Mirëpo, për shkak të problemeve të klubit me federatën dhe vendimit të drejtuesve për t’u tërhequr nga kampionati, qëndrimi i Jahijit në Voska Sport ka përfunduar përfundimisht.
I pajisur me përvojë, pjekuri dhe vullnet për sfida të reja, Jahiji mbetet i hapur për bashkëpunim me klube të interesuara brenda dhe jashtë vendit. Ai është një opsion cilësor për çdo ekip që kërkon të forcojë mesfushën me një lojtar cilësor, të përkushtuar dhe me përvojë kapiteni në ekip konkurrues.