UEFA e ka përjashtuar PFK Turan Tovuz nga Azerbajxhani nga garat evropiane për sezonin e ardhshëm, duke i pamundësuar pjesëmarrjen në Ligën e Konferencës 2026/27, pavarësisht se klubi kishte siguruar të drejtën e garimit pas vendit të tretë në kampionat.

Sipas raportimit të GiveMeSport, vendimi lidhet me rregulloret e UEFA-s që lejojnë moskualifikimin e klubeve në rast të përfshirjes direkte ose indirekte në manipulim ndeshjesh.
Konkretisht, në nenin 4.01(g) të rregullores së Ligës së Konferencës thuhet se një klub mund të përjashtohet nëse ka qenë i përfshirë në aktivitete që synojnë “organizimin ose ndikimin në rezultatin e një ndeshjeje” në nivel kombëtar apo ndërkombëtar.

Turan Tovuz ka pretenduar se sanksioni i UEFA-s lidhet me një rast disiplinor të viteve të kaluara, përkatësisht me vendimin e Komitetit Disiplinor të Federatës së Futbollit të Azerbajxhanit (AFFA) më 13 dhjetor 2019, kur shtatë lojtarë u përjashtuan nga të gjitha aktivitetet e lidhura me futbollin: Gojayev Sanan, Rustamov Misir, Baghirov Emin, Sadigov Ilkin, Mammadov Rufət, Taghiyev Eltay dhe Guluzadeh Shahin.
“U kualifikuam me meritë, do ta çojmë çështjen në CAS” – reagon klubi
Në reagimin e tij, Turan Tovuz ka njoftuar se do t’i ndërmarrë të gjitha hapat ligjorë dhe do të apelojë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS), me synimin që vendimi të ndryshohet dhe klubi të lejohet të marrë pjesë në garën ku thotë se është kualifikuar “duke respektuar parimet sportive”.
“E përfunduam sezonin në vendin e tretë duke ndjekur të gjitha parimet sportive dhe fituam të drejtën të luajmë në Ligën e Konferencës. Do të ndërmarrim të gjithë hapat ligjorë dhe do të apelojmë në CAS për të siguruar pjesëmarrjen tonë”, thuhet në deklaratën e klubit.

Turan Tovuz shtoi se, pavarësisht ndalimit, nuk do të ndryshojë planet e përgatitjes për sezonin e ri, duke bërë të ditur se ekipi do të mblidhet gjatë këtij muaji dhe do të udhëtojë në Turqi për një kamp stërvitor.
Klubi nga Tovuzi nuk kishte marrë pjesë në garat evropiane që nga sezoni 1994/95, ndërsa tani e ardhmja e tij në skenën evropiane mbetet në pritje të vendimit të CAS-it. /Telegrafi/

