Shkëndija të dielën nga ora 16:00 në Kavadar përballet me Tikveshin në duelin e xhiros së 28-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë. Gjashtë xhirot e fundit sjellin garë të zjartë në luftën për titullin e kampionit, derisa shefi i stafit teknik të Shkëndijës, Jeton Beqiri potencon se është koha që kuqezinjtë të tregojnë vazhdimësi në rezultat për të dalë në krye të renditjes.
“Futemi në fazën vendimtare të kampionatit dhe tani duhet të tregojmë cilësi, konsistencë, pjekuri dhe mbase dhe dinakëri për të marrë rezultatet që duam. Tikveshi meriton respekt, i urojmë për kualifikimin në finale të Kupës, mirëpo të dielën ne shkojmë në Kavadar për të fituar tre pikët”, është shprehur trajneri i Shkëndijës, Jeton Beqiri.