Kampionët në fuqi të NBA amerikan, Golden State është në rrugën e duhur drejt mbrojtjes së titullit. Atëherë kur edhe duhej, ylli i skuadrës, Stephan Curry bëri diferencën në parket, për të koleksionuar një tjetër paraqitje magjike. 35-vjeçari amerikan ishte thjeshtë i jashtëzakonshëm në fitoren 120-100 ndaj Sacramentos, përballje ku shënoi 50 pikë. Performancë fantastike prej tij për t’i dhënë kështu Warriors biletën e fundit për në gjysmëfinalet e Konferencës së Perëndimit.

Curry shkruajti edhe një faqe të re në librat e historisë, pasi askush më parë nuk ka arritur të shënojë 50 pikë në duelin e shtatë play-off. Për të kompletuar statistikat e tij mbresëlënëse në këtë duel, Curry realizoi edhe 8 rebaund e asistoi në 6 raste për shokët. Një performancë e dhuruan në harkun kohor të rreth 38 minutave në parket, duke udhëhequr kështu Golden State drejt raundit tjetër.
Në gjysmëfinale, kampionët e NBA do të sfidojnë një rival të fortë si Los Angeles Lakers. Përballje tepër emocionuese, pasi kundër njëri-tjetrit do të vendosen edhe dy ikona të koshit amerikan, Curry dhe LeBron James. Pikërisht, performanca e tyre do të jetë vendimtare për fatin e skuadrave në një sezon ku nuk kanë shkëlqyer në sezonin e rregullt.

