Stojanovski mungoi me Sileksin shkaku i kartonit të kuq ku luante me Renovën

Shkëndija të dielën e hapi sezonin e ri me barazim 1:1 përballë Sileksit në duelin e luajtur në Strugë shkaku i pezullimit të fushës së tetovarëve si pasojë e ngjarjeve të sezonit të shkuar përballë Shkupit.

Pikërisht një përballje me Shkupin do të ishte pengesë për paraqitje edhe për sulmuesin e Shkëndijës, Vllatko Stojanovski, i cili gjithë javën ishte parashikuar të ishte titullar në formacionin e trajnerit Artim Shaqiri. Mirëpo në moment të fundit kur përgatitej procesverbali i ndeshjes, sistemi COMET nuk pranonte Stojanovskin që rezultoi të ishte i pezulluar.

Për çka bëhet fjalë?

Më 19 maj të vitit 2019 Renova barazonte 2:2 me Shkupin në Cair dhe si pjesë e xhepçishtasve Stojanovski në minutën e 44-t ndëshkohet me karton të kuq. Pason pezullim prej dy ndeshjeve dhe Stojanovski pasi pauzon në takimin e rradhës të Renovës, më pas realizon transferim në Francë te Nimes. Dmth në Ligën vendore i mbetet edhe një ndeshje pezullim që do ta vuante në momentin kur do që të kthehej të luajë në Maqedoni. Kështu pasi që në merkaton e verës erdhi te Shkëndija dhe regjistroi disa paraqitje në eliminatoret e UEFA Conference League, duke u inkuadruar rregullisht si zëvendësues, tani ishte paraparë startues, por në moment të fundit duhej të ndjek ndeshjen nga tribuna. Gjithsesi, tashmë pezullimi skadoi dhe Stojanovski pritet të jetë në formacion në ndeshjen e mesjavës Shkëndija-Skopje në Strugë.

Pa Stojanovskin dhe pa Gurin, bara mbeti te i riu Elezi

Stojanovski duhej të nisë ndeshjen me Sileksin si sulmues kryesor dhe ndërkohë Shkëndija nuk kishte në përbërje as Sindrit Gurin. Kontrata e sulmuesit shkodran skadoi me mbylljen e avnturës në Europë dhe faktikisht ai nuk është më pjesë e Shkëndijës. Duke humbur edhe Stojanovskin shkaku i pezullimit, trajneri Shaqiri gjithë barën e sulmit duhej ta bazojë te i riu Dashmir Elezi, që gjithsesi ishte paraparë titullarë. Dhe në fakt Elezi bëri detyrën, duke shënuar golin e epërsisë në minutën e 17-të, gol që në fund nuk mjaftoi për tre pikë pasi që Sileksi barazoi në kohën shtesë me Lamallarin.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close