Tetovari Jeton Beqiri nuk do të jetë shef i stafit teknik te Bylisi i Ballshit. Tekniku dhe presidenti i klubit miqësisht ndërpresin kontratën, me Beqirin që gjithsesi do të vazhdojë të jetë pjesë e klubit deri në momentin e tranferimit në Arabinë Saudite.

Jeton Beqiri drejtoi sezonin e shkuar Bylisin, duke arritur që të fitojnë vendin e parë dhe të sigurojnë rikthim në elitën e futbollit shqiptar. Tetovari drejtoi gjithë fazën përgatitore të Bylisit, mirëpo një javë para startit të sezonit të ri vjen konfirmimi se ai nuk do të drejtojë skuadrën në Superiore.
Bylis nuk bëhet pengesë, Beqiri drejt Arabisë Saudite
Skuadra e Bylisit, konkretisht presidenti i klubit tregon klas dhe mirënjohje për punën e madhe të Jeton Beqirit, duke vendosur mos bëhen pengesë për të ardhmen e trajnerit. Jeton Beqiri ka marrë një ofertë të favorshme nga Arabia Saudite dhe vetëm marrja e vizës e vonon udhëtimin e tij drejt shtetit arab. Rezultatet e mira me ekipin nga Ballshi kanë qenë faktori kryesor për mbërritjen e ofertës për detajet e së cilës do të shkruajmë në një rast tjetër.
Vlen të ceket se pavarësisht se ka vetëm një javë deri në fillimin e sezonit të ri, presidenti i Bylist nuk ka bllokuar të ardhmen e trajnerit tetovar.
Deri në largimin drejt Arabisë Saudite, Jeton Beqiri mbetet pjesë e Bylisit dhe ai është mbështetje e madhe për presidentin në procesin e vendimit për trajnerin e ri. Në lojë janë tre emra, ndërsa Brenda 48 orëve do të vendoset se kush do të jetë pasuesi i Jeton Beqirit në pankinën e Bylisit.

