Qendra Sportive Trajnuese “ES” sjell një projekt që i jep dimension të ri sportit në Bogovinë dhe rrethinë. Stadiumi në fshatin Kamjan me ndriçim modern.

Stadiumi i fshatit Kamjan në Komunën e Bogovinës tashmë ka hyrë në një fazë të re zhvillimi, pasi është pajisur me ndriçim profesional që mundëson zhvillimin e ndeshjeve dhe seancave stërvitore edhe në orët e mbrëmjes.
Ky investim vjen nga Qendra Sportive Trajnuese “ES”, e udhëhequr nga vëllezërit Elmas dhe Burim Sinani, të cilët e konsiderojnë projektin një hap të rëndësishëm për të ardhmen e futbollit në rajon.
“Zyrtarisht kemi përmbyllur fazën e tretë dhe përfundimtare të ndriçimit të stadiumit. Ky nuk është vetëm ndriçim i fushës, por ndriçim i një rruge të re për zhvillimin e të rinjve dhe futbollit në përgjithësi,” tha për SPORTMANIA, Elmas Sinani, duke theksuar rëndësinë e projektit për komunitetin sportiv lokal.
Ndriçimi është siguruar si donacion nga Austria, përmes një miku të drejtuesve të “ES”, dhe ka qenë më parë i instaluar në një stadium të një klubi të elitës austriake. Sistemi është vendosur sipas standardeve teknike, me shtylla rreth 13 metra dhe projektorë me fuqi rreth 2000 vat, duke u konsideruar ndriçim gjysmëprofesional me performancë të lartë. Ka ngelur vetëm balansimi i dritave për të mbyllur projektin. Gjithë kësaj i është shtuar edhe një pjesë ndriçimi i vendosur nga KF Kamjani në tribunën nën të cilën gjenden edhe hapsirat zyrtare.
“Ky është një investim që sjell më shumë mundësi për të rinjtë. Tani ata mund të kryejnë obligimet e ditës dhe stërvitjet t’i zhvillojnë në mbrëmje, pa asnjë pengesë,” thotë për SPORTMANIA, Burim Sinani.
Kostoja e energjisë elektrike për funksionimin e ndriçimit është marrë përsipër nga Komuna e Bogovinës, duke e bërë projektin edhe më të qëndrueshëm për funksionim afatgjatë.
Ky zhvillim pritet t’i japë një dimension të ri futbollit lokal, duke pasur parasysh se vetëm disa stadiume në vendin tonë, kryesisht në Shkup, Manastir, Shtip dhe Strumicë, posedojnë ndriçim të këtij niveli.
Në një postim zyrtar, Qendra “ES” theksoi: “Ky investim nuk është vetëm ndriçim i fushës, por ndriçim i rrugës sonë drejt zhvillimit, profesionalizmit dhe së ardhmes. Falënderim i veçantë për të gjithë kontribuuesit që ishin pjesë e këtij rrugëtimi.”
Me këtë projekt, Kamjani dhe rrethina e Pollogut marrin një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të infrastrukturës sportive dhe zhvillimit të futbollit bazë.

