Shpëtim Duro pas kualifikimit: Fitore historike!

Fitorja e mbrëmshme ndaj Buduçnostit pa dyshim se ishte historike për Struga Trim Lum, që mori kualifikimin për në xhiron e tretë të Ligës së Konferencës.

Pas këtij suksesi ka folur edhe trajneri, Shpëtim Duro.

“Është kjo një fitore historike, gjithashtu mund të them se i tërë ky sezon është historik për Struga Trim Lum, pasi dolëm kampion, luajtëm në finale të Kupës, por njëkohësisht të kalosh një tur në garat europiane, mendoj se është historike, aq më tepër se bëhet fjalë për një skuadër modeste, siç jemi ne në këtë rast” – u shpreh fillimisht trajneri Shpëtim Duro, duke vazhduar më pas edhe më hollësisht të flas për ndeshjen, që dhuroi plotë 7 gola, kthesa në rezultat, por edhe shumë emocione.

“Ishte një ndeshje e vështirë, ashtu edhe siç e kishim parashikuar. Ndeshja filloi keq për ne, pasi pësuam gol që në fazën e hershme,  por skuadra gjeti forcën, duke shënuar shumë shpejtë dhe më pas edhe duke përmbysur rezultatin. Në momentet kur menduam se në pjesën e dytë do ta kemi më të lehtë, në sekondat e fundit të pjesës së parë pësuam golin e barazimit, gol ky që krijoi presion dhe moral te kundërshtari. Mirëpo duke pasur në skuadër lojtar të kalibrit si, Besart Ibraimi, Marjan Radeski, Bunjamin Shabani, Besmir Bojku, lojtar që kanë vlera të jashtëzakonshme, profesionistë të vërtetë që po mbajnë peshën kryesore të skuadrës, atëherë doli që edhe pjesa e dytë të jetë në favorin tonë. 

Më shqetësoi dalja e Mentor Mazrekajt sepse ishte futur shumë mirë në këtë ndeshje, në momentet e para, para se të dëmtohej, por e rëndësishme është që në fund arritëm një fitore të madhe” –  u shpreh Shpëtim Duro.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close