Federata e Futbollit të Maqedonisë (FFM) ka hedhur shortin për ndeshjet çerekfinale dhe ka përcaktuar edhe çiftet potenciale të gjysmëfinales në Kupën e Maqedonisë.


Vëmendja kryesore e shortit ka rënë te përballja Struga – Shkëndija, një duel i fortë mes dy skuadrave elitare, që pritet të sjellë emocione dhe rivalitet të madh në fazën çerekfinale.
Në ndeshjet e tjera çerekfinale, fituesi në fuqi i Kupës, Vardari, do të përballet me GFK Ohri, ndërsa Shkëndija Haraçinë do të luajë kundër Rabotniçkit. Çifti i katërt i kësaj faze është Detonit Plaçkovica – Sileks.
Po ashtu, shorti ka përcaktuar edhe çiftet e mundshme të gjysmëfinales. Në gjysmëfinalen e parë do të përballen fituesi i duelit Vardar/GFK Ohri me fituesin e çiftit Detonit Plaçkovica/Sileks, ndërsa në gjysmëfinalen e dytë do të takohen fituesi i ndeshjes Struga/Shkëndija me fituesin e çiftit Shkëndija Haraçinë/Rabotniçki.
Ndeshjet çerekfinale të Kupës do të zhvillohen më 25 shkurt, me vetëm një takim eliminues. Në rast se nuk ka fitues pas kohës së rregullt, kualifikimi do të vendoset direkt me penallti. Ndërkohë, gjysmëfinalet do të luhen me sistemin vajtje-ardhje.

