Derbi i xhiros së 11-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut i takoi Shkupit që mundi 2:1 Renovën. Sunday (55’) e Alvarez (73’ pen.) shënuan golat për Shkupin, ndërsa vetëm për statistikë vlejti realizimi i Mustafovit 9-të minuta para fundit.

Humbja kontestohet ashpër nga rradhët e Renovës që drejtojnë gishtin ka arbitri kryesorë i ndeshjes, Igor Stojçevski. Dy janë momentet e ilustruara edhe me video që cilësohen si dëmtim i madh nga tabori i Renovës.
Fillimisht minuta e 12-të kur starti ndaj Remzifaik Selmanit në kushte kur ky i fundit shkonte drejt portës vendase për Renovën është faul për ta dhe karton i kuq për futbollistin e Shkupit.
Ndërkohë rasti i dytë që nga Renova quhet “turpi i dytë” i ndeshjes është momenti i penaltisë kundër tyre, kur arbitri me shenjën e FIFA-s tregoi penalti për Shkupin, ndërsa xhepçishtasit pretendojnë se as që bëhej fjalë për diçka të tillë.
Shkupi me këtë fitore është përforcuar në vendin e parë në rënditje me 26-të pikë, 5 më shumë se Renova e vendit të dytë.

