Shkëndija e Tetovës sot ka mbushur 43 vite eksktencë. Kuqezinjtë tetovarë kanë ditëlindjen e 43-të dhe derisa klubi po “konsumon” dekadën e pestë, nostalgjia ka motivuar të shkruajë një postim njëri prej futbollistëve të gjeneratës së parë. Gajur Luma, profesor i respektuar në një postim në facebook ditë më parë ka kujtuar fillimet e para të Shkëndijës, ndërsa kemi vendosur shkrimin e tij ta postojmë sot për ta përputhur me datën 27 gusht, sepse praktikiaht më 27 gusht 1979 edhe lindi KF Shkëndija.

“Ishim gjenerata e parë e KF Shkëndija. Loznim pa kurfarë interesi, ishim në gjendje të lëmë shpirtin në fushë. Edhe pse jo të ushqyer në hotele apo restaurante me “meny” të shtrenjta, por me atë pak që kishim pasur në shtëpi. Ndonjëherë ndodhte të shkonim edhe të uritur drejt e në lojë”, shkruan me nostalgji Gajur Luma, duke vijuar:
“Pas ndeshjes kishim një drekë te “Matrançi”, të strukur gjithë së bashku në një dhomë të vogël të qebaptores, por të lumtur dhe plot gëzim duke kënduar “Oj Shkëndjja jonë….”, e duke bërë shaka për njëri tjetrin apo për lojën.

“ E kritikonom Shaniun (Shani Fetai) (e kujtofshim gjithmonë, tashmë i ndjerë), sepse nuk i kishte të ndotura me baltë veshjet sportive dhe flokët kaçurele që kishte, por megjithatë shënonte gola.
“Kuliku (Naser Kuliku) kërkonte kos dhensh, thuajse 3 pjata i hante vetë brenda drekës. Zarifi na tregonte se si ndali lojën dhe përshëndeti Golubin në gjuhën e tij të njohur, sepse Golubi e godiste këmbëve Zarifin. E shau Golubin por edhe gjithë golubat e fshtatit ku ishim, kurse ne të kapur për barku qeshnim.
“Çfarë kohëra të bukura dhe të lumtura ishin, sepse luanim për klubin e parë shqiptar në Maqedoni.
“Ja ku jemi në foto, tre nga gjenerata e vitit 1979, duke ndjekur lojën e Shkëndijës. Njëri pedagog i respektuar (Faik Ademi), njër profesor (unë Gajur Luma) dhe tjetri aktivist i devotshëm dhe shumë i suksesshëm për të drejtat e shqiptarëve kudo që janë (Harun Bruno Ceka).
“Loja mbaroi, Shkëndija humbi, ndërsa ne të dëshpëruar për faktin se si disa lojtarë me rroga të majme që kanë, thjesht zvariteshin nëpër fushë dhe nuk vraponin. Na vinte të hidhemi në fushë dhe t’u tregonim se si luhet me shpirt për një klub të zemrës. Shikuam njëri-tjetrin dhe qeshëm, sepse megjithatë tani të tre jemi në një moshë pak më të thyer.
“Qofshim ne shëndoshë, kurse Shkëndijës i dëshirojmë jetë të gjatë dhe të suksesshme.
Shkëndija është më shumë se një klub, është histori, kurse ne jemi pjesë e asaj historie.
Rrofshit e qofshit me shëndet, gjenerata ime e Shkëndijës 79. Qofshit me shëndët Harun dhe Faik”, përfundon postimi i profesorit Gajur Luma.



